Krijmtaria e nxënësve gjatë Javës së Projekteve në Gjimnazin "Hajdar Dushi"

Data e Publikimit 6 Qershor 2021

Për të synuar zhvillimin sa më të madh të nxënësve është e domosdoshme që atyre në arsim t'u jepet një qasje praktike pragmatike...

Për të synuar zhvillimin sa më të madh të nxënësve është e domosdoshme që atyre në arsim t'u jepet një qasje praktike pragmatike, e cila u ndihmon të ndërlidhin mësimim shkollor me botën jashtë saj, duke zhvilluar metoda për mësim gjithpërfshirës, interaktiv dhe atraktiv. Aktivitetet si puna grupore, hulumtimi, vizitat në terren, ekspozitat, seminaret, puna grupore dhe ngjarje të tilla të ngjashme kanë dëshmuar se luajnë një rol të madh në rritjen e interesimit të përgjithshëm të nxënësve.

Duke u nisur nga kjo, në fillim të periudhës të dytë të këtij viti shkollor, ‘’Programi Përkrahje adoleshetënve pas mësimit të rregullt’’ – ASSET, financuar nga USAID, ftoi shkollat partnere që të organizojnë aktivitetin ‘Java e Projekteve’. Ky aktivitet ishte pjesë e mësimit të rregullt, me qëllim të zhvillimit të rezultateve mësimore të parapara nga kurrikula, por i realizuar në një metodë më ndryshe me nxënësit. Metodës i paraprinte puna e përbashkët planifikuese e mësimdhënësve të fushave të ndryshme mësimore, planifikim i punës dhe detyrave individuale dhe ekipore të nxënësve, e cila përfshinte analiza, hulumtime, diskutime, konkludime dhe prezantime. Nxënësit ishin shumë të përfshirë dhe entuziast në punën e tyre, sepse ishin të lirë të përdorin kreativitetin e tyre, Kjo u pa në javën e prezantimeve të produkteve përfundimtare të punës së tyre në projektet mësimore.

Nga tetë shkollat partnere pjesëmarrëse, Programi sjellë rrëfimin e nxënësve dhe mësimdhënsve nga "Hajdar Dushi" në Gjakovë, në realizimin e këtij aktiviteti.

Aplikimi i teorisë në praktikë

Java e Projekteve, u manifestua si rezultat i programit trajnues për mësimdhënës, “Mësimdhënia e Bazuar në Projekte”, metodë e dizajnuar specifikisht për konkretizimin e mësimit teorik dhe ndërlidhjes së fushave/lëndëve të ndryshme mësimore. Përmes këtij kursi, mësimdhënësit nga Gjimnazi Hajdar Dushi, të cilët janë aftësuar për zbatimin e kësaj metodologjie, kanë ndihmuar nxënësit e tyre në arritjen e kompetencave mësimore, e në veçanti zhvillimin e shkathtësive të buta. Këtë e pamë edhe gjatë vizitës në gjimnaz.

Në hapësirën krijuese Makerspace, e themeluar poashtu nga Programi ASSET, nxënësit ishin duke na pritur që të na demostrojnë punën në realizimin e projekteve si struktura e atomit, elektroliza e ujit dhe gjeneratori i rrymës alternative – si e sheh profesionin tëndë në të ardhmen dhe iluminizimi, mendje e ndritur.

Për realizimin e projekteve, nxënësit kishin përdorur njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në mënyrë shumë kreative. Erisa Lipoveci, nxënëse në klasën XII, me bashkëmoshatarët e saj kishin krijuar strukturën e atomit. ‘’Pse ishte atraktive për ju java e projekteve?’’ – pytëm Erisën. Ajo u përgjigj se përmes këtij aktiviteti kanë mësuar ndërlidhjen mes lëndëve dhe sipas saj ishte një aktivitet shumë atraktiv. Poashtu, grupi në të cilën Erisa kishte punuar, e kuptuam që në krijimin e projektit ata kishin zgjedhur metodën më të mirë për të përfaqësuar gjërat që ata kanë mësuar në lëndën e Kimisë, Fizikës dhe Matematikës.

Ndërkohë, në hollin e gjimnazit ishin nxënësit tjerë duke zhvilluar projektet e tjera. Në një kënd ishin mbledhur nxënësit të cilët pikturonin. Përmes pikturës ata paraqisnin profesionin e tyre. Berna Ajdini, e cila ishte e koncentruar duke pikturuar e intrigoi pyetja ‘’Çfarë je duke krijuar kështu’’. Ajo u shpreh se është duke e paraqitur shkencën e matematikës si gjuhë universale.. ‘’Ka qenë një javë implusive, punë produktive sepse kemi punuar intenzivisht. Brenda pikturave ka shumë mesazhe të bukura sepse kemi punuar në fusha të ndryshme si Arti, Letërsia dhe Grafika’’ – u shpreh ajo.

Përballe Bernës ishin dy nxënëse tjera të cilat me llaptopin e tyre shkruanin pa u ndalur. Rinesa Zenelaj dhe Florentina Lekaj kishin intervistuar profesionin e gazetarit. Kishin vizituar studion e SYRI TV, një televizion lokal dhe kishin bërë intervistë me një gazetar aty.‘’E përjetuam kohën dhe saktësinë që duhet ta kenë gjithmonë gazetarët. Përmes këtij aktiviteti kuptuam nga afër sfidat e gazetarit’’ – u shprehën ato.

Si përfundim, mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, përmes Javës së Projekteve, vërtetuan se janë në gjendje të planifikojnë dhe të realizojnë projekte për të rritur njohuritë akademike dhe shkathtësitë për të bashkëpunuar, menaxhuar, udhëhequr, analizuar, komunikuar dhe për të reflektuar.